Liga Europa rikthehet me sfida shumë joshëse

Pas sfidave të Ligës së Kampionëve që në program ishin dy ditët e fundit, sot rradhën e kanë ndeshjet e Liga Europa, ku do të jemi dëshmitarë të disa ndeshjeve shumë interesante.

Në orën 18:55, përballja që tërheq më shumë vëmendjen për opinionin sportiv është pa dyshim ajo midis Milanit dhe Olympiakosit, që do të luhet në “San Siro”. ‘Kuqezinjtë’ morën një fitore pa shkëlqim dy javë më parë në fushën e Dudelanzh, duke ngjallur shumë dyshime për forcën e tyre në këtë kompeticion, ndërsa skuadra nga Pireu barazoi 0:0 në shtëpi me Betisin.

Për “rossonerët” është kjo prova e vërtetë në Grupin ‘F’, ku ende ka dyshime për skuadrat që janë favorite për të vijuar më tej. Në të njëjtën orë, skuadra spanjolle e Betisit do të mirëpret ekipin debutues në këtë kompeticion Dudelanzh, që vështirë se do të mund t’i bëjë ballë furisë vendëse.

Një tjetër emër i madh i futbollit evropian, Arsenali, zbret në fushë në orën 18:55, pikërisht përballë Karabagut të Ansi Agollit në transfertë. Mbetet për t’u parë nëse futbollisti shqiptaë do të marrë besimin e trajnerit të tij në këtë sfidë të grupit ‘E’. Takimi tjetër i këtij grupi është Vorskla Poltava-Sporting, ku vendasit do të kërkojnë të shfrytëzojnë faktorin fushë për të marrë pikët e para.

Rosenborg-Lajpcig dhe Salzburg-Seltik, që i përkasin grupit ‘B’, janë dy takimet mjaft interesante, ku skuadrat pritëse kanë pësuar humbje në takimet e dy javëve më parë, ndaj nuk kanë rrugë tjetër veçse të synojnë maksimumin për të patur shanse të mira për kualifikimin.

Në orën 18:55 do të zhvillohen gjithashtu edhe ndeshjet Bajer Leverkusen – AEK Larnaka dhe Cyrih – Ludogorets në kuadër të grupit ‘A’, si dhe Zenit -Slavia Praga dhe Bordo – Kopenhagen në grupin ‘C’, ndërkohë në grupin ‘D’, Fenerbahçe pas asaj disfate turpëruese ndaj Dinamos në Zagreb, në “Shukru Saraçollu” do të kërkojë të marrë pikët e plota ndaj Spartak Trnavës. Ndeshja tjetër e këtij grupi, është ajo midis Anderlehtit dhe Dinamo Zagrebit.

Në orën 21:00 vjen radha e Çelzit, që vështirë se mund të gabojë përballë hungarezëve të MOL Vidi, në “Stemford Brizh”, ndërsa Bate Borisov-PAOK konsiderohet një sfidë direkte për vendin e dytë grupin ‘L’, ku Çelzi duket se është i pa konkurrencë.

Në grupin ‘G’ zbret në fushë Glazgou Renxhers i Eros Grezdës që në “Ibroks Stadium” do të jetë nikoqir i Rapid Vjenës, rivalin e madh për dy vendet e para, që të kualifikojnë për raundin tjetër, ndërsa ndeshja tjetër e këtij grupi eshtë ajo midis Spartakut të Moskës dhe Viljarealit, ku vendasit do të synojnë me çdo kusht fitoren për të harruar sa më parë humbjen me Rapidin.

Me mjaft kërshëri pritet përballja mes Ajntraht Frankfurtit dhe Lacios në grupin ‘H’. Të dyja skuadrat e kanë nisur me fitore fazën e grupeve, ku pa dyshim spikati suksesi 1:2 i gjermanëve në fushën e Olimpikut të Marsejës, ndërsa italianët u mjaftuan me rezultatin 2:1 ndaj Apollonit, skuadër kjo që nga ky grup do të mirëpret skuadrën e Marsejës, finalistin e fundit të këtij kompeticioni, që nëse do të dëshironte të përsëriste të paktën një sukses të tillë, atëherë do të duhet medoemos të dali sonte fitues.

Një përballje interesante pritet të jetë edhe ajo midis dy kryesuesve të grupit ‘J’, Krasnodarit dhe Seviljës, që synojnë shkëputjen ndaj rivalëve, për t’i menaxhuar me më shumë qetësi takimet e ardhshme, ndërsa po në këtë grup luhet edhe ndeshja në Belgjikë midis Standard Liezhit dhe skuadrës turke të Akhisar.

Në fakt, ndeshja e parë e ditës, do të zhvillohet që në orën 16:50, mes Astanës dhe skuadrës franceze të Ren në grupin ‘K’, ku Dinamo e Kievit do të vizitojë Jablonecin në orën 21:00.
Ndërsa në grupin ‘I’ po në ora 21:00 përplasen Malmo – Beshiktash dhe Sarpsborg 08 –Genk.

Leave a Reply