Broja: Fitore ndaj Rabotniçkit për të dalë nga kjo krizë

Skuadra e FC Shkupit në kuadër të javës së 9-të në elitën e futbollit vendor në terren vendas do të mirëpret Rabotniçkin, njofton ‘infOSport.mk’. Është ky një tjetër derbi lokal i kësaj jave, pas asaj të Tetovës, ku mejdanin do të ndajnë Shkëndija dhe Renova. Skuadra ‘bardhekaltër’ nga Çairi nesër ndaj Rabotniçkit në fushë do të zbresë me trajnerin e ri, ish sulmuesin e njohur turk, Umit Karan, i cili tashmë ka zhvilluar dy seanca stërvitore me skuadrën e tij të re, me të cilën dëshiron që ta nis mbarë.

Në 8-të ndeshjet e zhvilluara FC Shkupi ka grumbulluar vetëm pesë pikë, duke shijuar vetëm një fitore dhe ka marrë dy barazime, ndërsa pikërisht ndeshja e nesërme ndaj Rabotniçkit shihet si një moment i mirë për rikthim drejt kreut të tabelës.

Për ndeshjen në fjalë, për faqen zyrtare  të klubit ka folur mesfushori i talentuar kosovar, Rron Broja, i cili ka potencuar se ekipi ka pasur lojë të mirë, por ka munguar finalizimi.
‘Nesër do të jetë ndeshje e vështirë, mirëpo jemi të motivuar maksimalisht që të arrijmë fitore dhe të largohemi nga kjo krizë e cila besoj se është më shumë psikike. Kemi punuar mjaft gjatë kësaj periudhe, jemi munduar që të analizojmë edhe lojën e kundërshtarit, duke e ditur se bëhet fjalë për një skuadër mjaft të papërshtatshme, por që edhe ata janë në krizë. Mendoj se është koha për rikthim te fitorja sa më shpejt, besoj se do të arrijmë të marrim veten dhe ti lejmë pas vete rezultatet e dobëta’, ka thënë Broja.

Ndeshja Shkupi – Rabotniçki luhet të shtunën me fillim në orën 15:00, në stadiumin e Çairit, ndërsa drejtësinë në këtë përballje do ta ndajë Konstantin Vllaho.

Leave a Reply