Vjen edhe shkarkimi i parë i një trajneri në La Liga

Trajneri i Hueskas, Leo Franko mbijetoi vetëm 8 xhiro në këtë post në ndeshjet e La Ligas. Gjatë ditës së sotme drejtuesit e skuadrës së re të inkuadruar në mesin e më të mirëve në futbollin spanjoll, vendosën që të shkarkojnë trajnerin e tyre për shkak rezultateve të dobëta. Skuadra deri më tani ka regjistruar vetëm një fitore dhe është në fund të tabelës me vetëm 5 pikë të tubuara.

Durimi i drejtuesve të Hueskas humbi me disfatën e fundit 0:1 ndaj Valjadolidit në fundjavë.

Leo Franko drejtimin e Hueskas e kishte marrë gjatë verës, ndërsa në fund të sezonit arriti suksesin më të madh në historinë e klubit, duke siguruar një vend për herë të parë në elitën e futbollit spanjoll. Fillimi i sezonit ishte i shkëlqyeshëm për Hueskan dhe trajnerin Leo Franko, pasi e nisën me fitore si mysafir ndaj Eibar, që më pas të barazojë edhe ndaj Atletik Bilbaos në “San Mamesh”. Megjithatë në 6 ndeshjet e rradhës, kjo skuadër regjistroi vetëm një barazim dhe plotë 5 disfata.

Argjentinasi që është një ish portier i Majorkës, Atletiko Madridit, Galatasarajit dhe Zaragozas, në këtë mënyrë bëhet trajneri i parë që shkarkohet në La Liga që nga fillimi i këtij sezoni.

Ende nuk është e qartë se kush do të jetë trajner i ri i Husekas. Për shkak të paraqitjeve të Kombëtareve në Ligën e Kombeve pason pauzë në kampionatet futbollistike, ndërsa në ndeshjen e javës së 9-të Hueska, me siguri me trajner të ri do të mirëpret përballjen ndaj Espanjollit si vendas.

Leave a Reply