Shaqiri injoron Liverpulin, zgjedh Mançesterin

Është shumë e vështirë që një lojtar të banojë në zemrën e qytetit të skuadrës për të cilën luan. Edhe pse do të ishte e vështirë të zhvillonte një jetë normale, pa u ndalur nga tifozët në rrugë. Për këtë arsye, pjesa më e madhe e futbollistëve zgjedhin të banojnë në periferi. Megjithatë, duket se Xherdan Shaqiri ka ekzagjeruar pak.

Futbollisti zviceran me origjinë shqiptare, i transferuar këtë verë nga Stoke te Liverpool, është prezantuar para tifozëve “Të Kuq” në mënyrën më të mirë: me një gol të mrekullueshëm kundër Manchester United në International Champions Cup. Sulmuesi i krahut ka fituar shumë shpejt zemrat e tifozëve, por duket se kjo mbështetje e madhe e ka shtyrë atë të jetojë “pak” në periferi. Ai që ka marrë numrin 23 të Emre Can, ka deklaruar për të përditshmen zvicerane “Blick” se nuk ka qenë kurrë në qendrën e Liverpulit. Por nuk mjafton me kaq.

Ish-lojtari i Stokes duket se ka një koncept të çuditshëm të periferisë. Pse? Jeton akoma në Mançester, prej ku shkonte në Stoke, në të njëjtën shtëpi ku jetonte edhe vitin e kaluar. Zvicerani ka saktësuar: “Të them të drejtën nuk kam shkuar akoma në qendrën e Liverpulit. Lojtarët e tjerë më kanë thënë se është pak e vështirë për të shkuar, sepse njerëzit vijnë menjëherë dhe të takojnë”.

Gjithsesi, është rasti që dikush të ndihmojë Shaqirin që të gjejë një shtëpi në një zonë më pak periferike. Veçanërisht larg rivalëve të Mançesterit. /Telesport/

Leave a Reply