
Një ndeshje që kishte një formacion eksperimental, kjo për faktin se në fushë zbritën ata futbollistë që kishin pasur më pak hapësira në sfidat e fundit, apo u kishte munguar grumbullimi muajin e kaluar. Tekniku italian siç duket po testonte ata futbollistë që mund të jenë të dobishëm në sfidën e fundjavës me Izraelin.
Fitorja mungoi, por kuqezinjtë krijuan jo pak raste, teksa kishin disa mundësi për shënim. Sfida nisi me një zëvendësim të detyruar, me Mihajn që la fushën e lojës pa u mbushur 10 minuta. Grezda shpërdoroi dy raste në pak sekonda, por kishte pretendime dhe për një 11-metërsh, që dukej e qartë. Edhe miqtë provuan në disa raste, por nuk është se e vunë vërtetë në vështirësi portierin Berisha.
Në pjesën e dytë Panuçi kreu dhe 5 zëvendësime të tjera, por rezultati sërish nuk ndryshoi, pavarësisht ngacmimeve të Balajt. Më shumë golit iu afrua Uzuni, i cili pa që shtyllën t’i mohonte golin në debutim. Tani e gjithë vëmendja është tek takimi me Izraelin.
Një fitore më shumë do të vlente për anën morale, megjithatë loja e zhvilluar sot jep besim se pas pak ditësh mund të marrim një rezultat pozitiv si një vit më parë në Izrael, edhe pse sulmi çalon.