Berisha dhe Bllazhevski mbeten pa trajner, Ze Maria shkarkohet nga Tirana

Ze Maria nuk është më trajner i skuadrës së Tiranës ku luajnë edhe dy futbollistët nga Maqedoni, Sedat Berisha dhe Dejan Bllazhevski. Në shtëpinë bardheblu dilemat kanë marrë fund. Presidenti i klubit, Refik Halili ka vendosur shkarkimin e teknikut brazilian, për të tentuar një nisje të re të skuadrës që ka zhgënjyer në sezonin e rikthimit në Kategorinë Superiore pavarësisht pritshmërive të shumta.

Te Tirana kanë vendosur të thonë boll, pavarësisht kostos financiare të shkarkimit me teknikun, me të cilin ishte tentuar më parë një ndarje konsensuale që nuk është pranuar nga trajneri. Pozitat e Ze Marias u lëkundën që në javët e para të kampionatit dhe morrën një goditje të fortë pas humbjes në derbi, tekniku arrriti të rezistojë duke u mbështetur pikërisht te kontrata që e lidhte me klubin, por humbja me fundit me Laçin, ka rezultuar pika që derdhi kupën e durimit te Tirana. Ze Maria paguan në këtë mënyrë rezultatet e dobëta në drejtimin e Tiranës në Kategorinë Superiore, ku në 8 ndeshje bardheblutë kanë fituar vetëm 2 ndërsa kanë humbur 4 të tjera.

Te Tirana tani mendojnë të nisin një kurs të ri, ku me shumë mundësi do të jetë një njeri i shtëpisë bardheblu, pikërisht Ardian Mema, trajneri i ri që do të drejtojë 24-herë kampionët.

Leave a Reply