Barcelona mund të humbasë Messin pa asnjë qindarkë

Lionel Messi mund të largohet nga Barcelona me parametra zero në vitin 2020. Kjo është ajo që publikon e përditshmja spanjolle “El mundo Deportivo”, sipas së cilës në kontratën e yllit argjentinas ekziston një klauzolë që e lejon atë të lërë klubin blaugrana “gratis” në rast se shkon në ndonjë skuadër që nuk është në elitën e futbollit botëror.

Në kontratën e tij që e firmosi para 12 muajsh, Messi ka një klauzolë të zgjidhjes së saj prej 700 milionë eurosh. Por me këtë të dhënë që zbulon e përditshmja spanjolle, Messi mund të lërë skuadrën ‘katalunase’ falas që do të thotë se klubi ku do të shkojë argjentinasi nuk do të jetë i detyruar të paguajë këtë shifër marramendëse, 1 vit përpara skadencës së kontratës së 31-vjeçarit.

Gjithnjë sipas “El Mundo Deportivo”, për këtë arsye presidenti i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu, po mendon t’i ofrojë Messit një kontratë të re me skadencë në vitin 2022 me opsion zgjatjen e saj edhe për një vit, një kontratë që do ta lidhte Messin me Barcelonën përjetë dhe do të evitonte përsëritjen e rastit Ronaldo që u largua nga Reali i Madridit.

Leave a Reply