Spaleti tregon arsyet pse Rafinja nuk mbeti te Interi

Interi sonte në kuadër të Ligës së Kampionëve do të ketë një ndeshje shumë të vështirë në transfertën ndaj Barcelonës. ‘Zikaltrit’ në këtë ndeshje që zhvillohet në ‘Kamp Nou’ do të gjejnë përballë edhe Rafinjën, një futbollist që shkëlqeu në fazën e dytë të sezonit të kaluar me fanellën e Interit, por që më pas u detyrua të rikthehet në Katalunjë.

Vetë trajneri i Interit, Luçiano Spaleti shpjegoi arsyet pse ata nuk ia dolën të blinin përfundimisht kartonin e fantazistit brazilian, pavarësisht dëshirës së tij dhe tifozërisë për të mbetur ai në ‘Xhuzepe Meaca’.

“Rafinja është një lojtar që mbulon mjaft mirë mesin e fushës dhe mund të bëjë disa role. Do të doja shumë që ta shihja në fushë nesër, ndonëse e di që do të na hapte punë. Duhet ta falënderojmë, pasi jemi në Ligën e Kampionëve edhe falë kontributit të tij. Do të donim shumë ta mbanim në skuadër, por kishte disa afate dhe ne nuk mund të bënim blerje në atë periudhë, për hir të bilancit. Blerjet tona vareshin shumë edhe nga shitjet dhe Barcelona nuk preferonte asnjë nga lojtarët tanë, për të bërë një marrëveshje shkëmbimi”, – deklaroi Spaleti.

Leave a Reply