Renditja e FIFA-s, Kosova shënon ngritje, Shqipëria rënie

FIFA gjatë ditës së sotme ka publikuar ranglistën e kombëtareve për këtë muaj.

Kombëtarja e Shqipërisë për dallim nga muaji i kaluar kur renditej në pozitën e 57-të, tashmë renditet në pozitën e 60-të, duke humbur tre pozita. Skuadra e Panuçit gjatë muajit tetor zhvilloi dy ndeshje, duke barazuar pa gola fillimisht në miqësoren ndaj Jordanisë në ‘Elbasan Arena’, që më pas të pësojnë disfatë 0:2 në transfertën ndaj Izraelit në kuadër të Ligës së Kombeve.

Mirëpo për dallim nga Shqipëria, përfaqësuesja e Kosovës ka arritur që të ngjitet  për një pozitë në renditjen e FIFA-s dhe tani ndodhen në vendin e 137-të. Kosova gjatë muajit tetor zhvilloi dy ndeshje në kuadër të Ligës së Kombeve, duke mundur në Prishtinë Maltën me rezultatin 3:1, ndërsa në transfertën ndaj Ishujve Faroe barazoi me rezultatin 1:1.

Ranglista vazhdon të kryesohet nga Belgjika me 1733 pikë, një më shumë se kampionja e Botës, Franca, për të pasuar më pas kombëtaret si Brazili, Kroacia, Anglia, Uruguai, Portugalia, Spanja dhe Danimarka.

Leave a Reply