Ronaldinjo në pranga, llogaria e tij bankare është bosh!

Legjendë në fushë, “i rrënuar” ekonomikisht pas ndarjes nga futbolli i luajtur: e pabesueshme, por kjo është situata e brazilianit Ronaldinjo, të paktën duke u bazuar te llogaria e tij bankare.

Ish-magjistarit të Barcelonës i është konfiskuar pasaporta, ashtu si vëllait të tij, për shkak se nuk kanë paguar një borxh të konsiderueshëm.

‘UOL Esporte’ shkruan se prokuroria braziliane është detyruar të bllokojë llogaritë bankare të 38-vjeçarit për të tërhequr paratë e gjobës, por aty nuk kishte asgjë, ose më saktë ishin 24,63 reais, më pak se 6 euro.

Një shifër qesharake, ndërkohë që Ronaldinjo duhet të paguajë rreth 2 milionë euro, për shkak se ka ndërtuar në mënyrë abuzive në një zonë të mbrojtur nga shteti.

Bëhet fjalë për një histori të nisur prej 4 vitesh, por ndërkohë Ronaldinjo dhe vëllai i tij nuk kanë paguar dhe shifra është rritur për shkak të interesit të lartë.

Çudia është se Ronaldinjo bën një jetë luksi edhe tani dhe ka kontrata të shumta reklamash, duke shkuar edhe në Kinë e në Japoni kohët e fundit.

Ndërkaq, ‘Nike’ ka hedhur në treg një linjë këpucësh me emrin e Ronaldinjos dhe qartësisht të ardhurat për brazilianin janë të konsiderueshme, por është mister mënyra si paguhet dhe në cilën bankë depozitohen paratë.

Leave a Reply