Ventola: Ikardi do të ishte rezervë në kohën time te Interi

Të dielën, Atalanta dhe Interi do të jenë protagonistët e ndeshjes së mesditës. Një ballafaqim në “Atleti Axurri”, tek i cili Nikola Ventola është një “ish” i dyfishtë. I intervistuar nga “La Gazzetta dello Sport”, ish-qendërsulmuesi i njohur foli për sfidën në fjalë.

Kur u pyet se cili është favorit, ai preferoi t’i flasë zemra: ‘Shpresoj që Interi të fitojë. Në Milano kam mbërritur si fëmijë, duke e ndarë eksperiencën time me një ekip yjesh, ku bënin pjesë Baxhio, Zamorano, Rekoba, Ronaldo dhe Vieri. Kjo ishte konkurrenca ime’.

Dikur ishte një sulmues i klasit të parë, ndërsa tani sheh me dëshirë që Interi mbështetet tek Mauro Ikardi, siç ndodhi në ndeshjen e Ligës së Kampionëve kundër Barcelonës.

‘Mund të përmirësohet në lojën pa top, por në zonën kundërshtare është i nivelit të lartë’, – tha ai për kapitenin ‘zikaltër’.

‘Këtë e tregoi edhe të martën, kundër Barcelonës. Një goditje, një gol’.

Pyetja që lind pothuajse spontanisht është vetëm një: A do të luante dot Ikardi në Interin e tij? Ish-sulmuesi nuk ka asnjë dyshim: “Jo, atje ishin Ronaldo dhe Vieri. Ikardi do të ishte një rezervë. Luksoze, por një rezervë”.

Së fundmi, Ventola analizoi punën e Interit deri më tani, me vendin e dytë në kampionat: ‘Skuadra ka cilësi, ka startin më të mirë të viteve të fundit. Natyrisht, për titullin e ka të vështirë, sepse Juventusi është ndoshta skuadra më e mirë në Europë, jo më në ‘Seria A’. Bardhezinjtë e kanë nisur një rrugë të caktuar vite më parë, ndërsa ajo e Interit është në fillim’.

Leave a Reply