Shqipëri-Uells, ‘kuqezinjtë’ kërkojnë të rigjejnë buzëqeshjen

Sonte në ‘Elbasan Arena’ Kombëtarja e Shqipërisë në një ndeshje miqësore kundër Uellsit të Gartet Bejll, do të kërkojë të rigjejë buzëqeshjen që aq shumë i mungon. Kjo për shkak se të besuarit e trajnerit Panuçi vijnë në këtë ndeshje pas debaklit të pësuar nga Skocia 0:4 në ndeshjen e Ligës së Kombeve, kompeticion, të cilin ‘kuqezinjtë’ duhet ta harrojnë sa më shpejtë.

Sonte ndaj Uellsit ka nevojë për një reagim. Djelmoshat ‘kuqezi’ do të luajnë mbi të gjitha për të treguar se në skuadër ka mbetur dëshira dhe forca e reagimit, edhe pse realisht nuk do ta kenë të lehtë, pasi përballë do të kenë Uellsin e trajnerit Rajan Gigs, skuadër kjo që renditet e 18-ta në botë, edhe pse rezultatet e fundit nuk i ka patur pozitive, me 3 humbje në 4 ndeshjet më të freskëta.

Mirëpo edhe më keq qëndrojnë punët për Shqipërinë, që tashmë në 4 ndeshje me rradhë nuk shënon, ndërkohë që është ndëshkuar në 8 raste.

Përtej pritshmërive, duhet evituar të paktën një shthurje si ajo ndaj Skocisë. Mund të rezultonte vërtet e rëndë për moralin e një skuadre që po lëpin plagët pas një fushate të dështuar në Ligën e Kombeve.

Është një provë sportive, por mbi të gjitha një provë karakteri. Duhet të ketë një reagim për të provuar se me një udhëheqje më racionale kjo skuadër ka bazën dhe motivimin për të bërë sërish gjëra të mëdha.

Leave a Reply