Barazim i çmendur i Barçës ndaj Atl.Madridit (VIDEO)

Barcelona ishte shumë pranë disfatës në transfertën ndaj Atletiko Madridit, mirëpo një gol i shënuar në minutën e fundit të takimit nga ana e rezervistit Usmane Dembele, shpëtoi ‘katalunasit’ nga disfata e tretë sezonale dhe humbjen e statusit të liderit në La Liga, njofton ‘infOSport.mk’.

Sulmuesi francez në lojë u inkuadrua vetëm në minutën e 80-të, ndërsa falë një super pasimi nga ana e Lionel Messit në minutën e 90-të ai shënoi golin e barazimit, duke mbajtur kështu ekipin e tij në krye të tabelës, pikërisht para Atletiko Madridit.

‘Jorganxhinjët’ deri në momentin e shënimit të golit nga ana e futbollistit francez e shihnin veten në pozitën e parë, pasi avansonin falë golit të Diego Kostas në minutën e 77-të, mirëpo kur është në pyetje Barcelona, ndeshja fitohet vetëm atëherë kur arbitri do të sinjalizojë fundin e takimit.

Barcelona me 25 pikë kryeson renditjen, me një pikë më shumë se Atletiko Madridi, që mban vendin e dytë, ndërkohë që pas tyre me 23 pikë renditet Sevilja.

Leave a Reply