Umit Karan: Na presin edhe 180 minuta të zjarrta

FC Shkupi nuk ka kohë për të festuar pas fitores shumë të rëndësishme në fundjavë ndaj Bellasicës, pasi të mërkurën ‘pëllumbat’ nga Çairi i pret një përballje tjetër e vështirë, ajo kundër Renovës, para se të sfidojnë Rabotniçkin në transfertë gjatë fundjavës që vjen.

“Tani kemi edhe 180 minuta e fundit të sezonit vjeshtor, ku secili prej futbollistëve duhet të punojë shumë dhe të jep maksimumin për ekipin, pas së cilës do të kemi edhe pushimet e planifikuara,” – tha trajneri i FC Shkupit, Umit Karan.

Trajneri turk, sfidën me Renovën e cilëson si testin më të vështirë në këtë periudhë kohore, andaj bën apel deri tek të gjithë tifozët që të ndihmojnë FC Shkupit gjatë ditës së mërkurë.

“Ndeshja e ardhshme ndaj Renovës është mjaft e rëndësishme për ne dhe kemi nevojë për çfarëdo lloj ndihme. Pres që të kemi përkrahje maksimale të tifozëve tanë, “ – u shpreh Karan, nën drejtimin e të cilit FC Shkupi ka regjistruar 4 fitore, nga gjithsej 5 të këtij sezoni.

Umit Karan debutoi në barazimin 1:1 ndaj Rabotniçkit, ndërsa nën drejtimin e tij FC Shkupi mundi skuadrat si Sileksi (2:0), Akademia Pandevi (1:0), Vardari (1:0) dhe Bellasica (1:0). Një barazim tjetër me Karanin në krye, FC Shkupi regjistroi ndaj Makedonija GJ.P (2:2) në kuadër të javës së 15-të, ndërsa dy disfatat i pësoi në transfertat ndaj Pobedës (2:0) dhe Shkëndijës (3:0).

Leave a Reply