Torino sonte epiqendra e futbollit europian

Juventusi kundër Interit, Allegri kundër Spalletit, Ronaldo përballë Ikardit, Anjelli kundër Zhang, Milano ‘zikaltër’ përballë Torinos ‘bardhezi’.

Bëhet fjalë për një nga sfidat më të zjarrta jo vetëm të futbollit italian, por dhe atij evropian e botëror.

Të dyja skuadrat që sonte do të zbresin në ‘Allianc Stadium’, së bashku peshojnë 52 tituj kampion në Serie A, 20 kupa Italie dhe 5 Liga Kampionësh.

Juventusi ka dominuar vitet e fundit në Itali, duke fituar 7 tituj rradhazi kampion, ndërkohë Interi ka filluar të ringrihet disi pas periudhës së vështirë post-tripletë.

Kjo ndeshje do të vë përballë edhe dy strategët e njohur, Masimiliano Allegri dhe Luçiano Spalleti, i cili pasi riktheu të tijtë në ndeshjet e Ligës së Kampionëve, kërkon të ruaje ecurinë pozitive. Do të jetë kjo hera e 10 që këto dy emra strategësh do të përballen njëri me tjetrin, ku deri më tani Allegri avanson me rezulatin 4:3, teka dy ndeshje janë mbyllur me barazime.

Që të dy do u besojnë yjeve të tyre në majën e sulmit, Ronaldo dhe Ikardi, dy emra këto të aftë për të vendosur fatin e ndeshjes.

Pavarësisht se ylli portugez i Juves ka shënuar më shumë gola, kapiteni i ‘zikaltërve’ ka ditur të jetë më efikas, edhe pse CR7 ka gjuajtur trefishin e goditjeve të argjentinasit.

Kjo do të jetë një përballje mjaft interesante edhe mes dy presidentëve, Anjelli dhe Zhang. Numri një i “bardhezinjve” njihet si njeriu që rilindi klubin torinez pas rënies në Serinë B, duke fituar 14 trofe në 8 vitet e fundit. Nga krahu tjetër, Zhang, i cili ka 16 vite diferencë me Anjellin, prej pak kohësh ka marrë frenat e skuadrës ‘zikaltër’, por dashuria e tij për Interin njihet që kur ‘Suning’ bleu ekipin milanez.

Emocionet dhe spektakli kanë qenë, janë dhe do të jenë gjithmonë të garantuara, që nga koha e Bonipertit dhe Macolas, tek Luis Nazario da Lima Ronaldo dhe Del Piero, e deri më sot tek Kristiano Ronaldo dhe Maurod Ikardi. Juventus-Inter premton gjithçka të mundshme, e tifozëve i ngelet vetëm për ta shijuar…

Leave a Reply