Sekretari i UEFA-s, Theodoris inspekton nga afër punimet e stadiumit kombëtarë në Tiranë

Një delegacion nga ana e UEFA-s gjatë ditës së sotme ka inspektuar punimet në stadiumin e ri “Arena Kombëtare” në Tiranë, ndërsa gjithashtu nga afër vizituan edhe Shtëpinë e re të Federatës Shqiptare të Futbollit pranë Liqenit Artificial.

Në një prononcim për mediat, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka tha se Sekretari i Përgjithshëm i UEFA-s, Theodore Theodoris ndodhet në Shqipëri për të vlerësuar pikërisht këto projekte.

‘Sekretari i Përgjithshëm i UEFA-s ka ardhur të shoh zhvillimin e projekteve që ne kemi nisur, zyrat e reja, projektin e stadiumit dhe për të diskutuar se si ne mund të kemi më shumë aktivitete në këto investime që po bëjmë dhe të jemi më shumë në tregun Europian, përveç këtij shqiptar. Kemi diskutuar për disa organizime që mund të bëjmë në Shqipëri. Nuk mund të jetë vetëm finalja e Superkupës, mund të ketë dhe aktivitete të tjera, për të cilat ne do të aplikojmë dhe çfarë të jetë e mundur do ta organizojmë në Shqipëri. FSHF për deri sa ka përfituar gjithë këto projekt dhe është bashkëpuntore e afërt me UEFA-n, është e kënaqur që vlerësohet në zhvillimin e këtyre projekteve në dobi të futbollit shqiptar. Ne kemi filluar një projekt të ri, projektin e stadiumit të Kukësit, një stadium me 6000 spektatorë. Për vitet e ardhshme, kemi disa projekt-ide. Do bëjmë një lloj studimi dhe do shohim”, – u shpreh Duka.

Leave a Reply