Bujar Islami flet për ecurinë e përgatitjeve të Vëllazërimit

Bujar Islami në një intervistë për “infOSport.mk” ka folur lidhur me ecurinë e përgatitjeve dhe se sa ai është i kënaqur me atë që po tregojnë futbollistët e tij gjatë fazës kryesore, ku veçmë ka krijuar një bindje rreth formacionit startues, i cili do të mbajë barën kryesore gjatë stinorit pranveror.

Strategu tetovar është i kënaqur me angazhimin e futbollistëve, ndërsa gjithashtu flet edhe rreth largimeve dhe prurjeve të reja në skuadër.

“Është kjo dita e 15-të që jemi duke u përgatitur në Ohër. Jam tepër i kënaqur me angazhimin e futbollistëve, edhe pse duhet pranuar se kemi pësuar disa ndryshime në formacionin bazë. Një pjesë e mirë e futbollistëve tanë u transferuan në ekipe tjera, përfshirë këtu edhe ato nga Superliga e Kosovës. Te skuadra jonë tashmë mbizotërojnë futbollistë të rinj, madje edhe të vitit 2001, mirëpo që vërtetë më kanë lënë përshtypje shumë të mira falë angazhimit dhe përkushtimit që kanë” – u shpreh fillimisht Islami në prononcimin e tij për “infOSport.mk”.

Skuadra do të qëndrojë në Ohër deri të dielën, ndërsa janë paraparë të zhvillohen edhe dy takime miqësore, përfshirë këtu edhe takimin e sotëm kundër Struga Trim Lum.

“Sot do të luajmë kundër Struga Trim Lum, liderit të Ligës së Dytë – Perëndim, aty ku garojmë edhe neve. Në këtë ndeshje do ju jap rastin të gjithë futbollistëve, përfshirë këtu edhe ata që së fundmi iu bashkuan skuadrës, si Altin Sefo, Jusuf Aliu dhe Ylber Beqiri, që të tre në formë huazimi nga FC Shkupi dhe Renova. Shpresoj në një angazhim maksimal nga ana e të gjithë futbollistëve, ashtu siç bënë edhe në ndeshjet paraprake, ku do e kisha veçuar ndeshjen me Sileksin, ku edhe përkundër disfatës bëmë një ndeshje shumë të mirë. Besoj se nga ndeshja në ndeshje po përmirësohemi dhe e kam të qartë boshtin e skuadrës, në të cilin mund të llogaris gjatë stinorit pranveror” – u shpreh Islami.

Ndeshja e sotme kundër Struga Trim Lum do të jetë e katërta për ekipin e Vëllazërimit, që deri më tash ka arritur një fitore 3:1 ndaj Vardarit të Forinës, një barazim 1:1 me Korabin, ndërsa ishte mundur nga Sileksi me rezultatin 0:2.

Ndeshjen e fundit para se të rikthehet në Kërçovë, Vëllazërimi do ta zhvillojë kundër Labunishtit, po astu në Ohër.

Leave a Reply