Nga yll i La Liga në “narcos”, arrestohet ish-futbollisti se trafikonte kokainë

Një ish-futbollist kolumbian është arrestuar mbrëmë nga policia në Kali pasi akuzohet si pjesë e një rrjeti trafiku ndërkombëtar droge.

Xhhon Viafara, lojtar i cili në karrierën e tij ka luajtur edhe në La Liga me Real Sociedad apo në Angli me Portsmuth dhe Sauthempton, ka përfunduar në pranga pasi është ndalur nga policia kolumbiane me kërkesë nga antidroga amerikane që kërkon ekstradimin e tij.

Sipas informacioneve të para rezulton se Viafara, i cili ka luajtur 34 ndeshje me përfaqësuesen e Kolumbisë, akuzohet se ishte pjesë e një rrjeti narkotrafikantësh që dërgonte kokainë në SHBA.

Pikërisht amerikanët kishin qenë ata që kishin ndjekur të gjithë operacionin duke sinjalizuar edhe policinë kolumbiane mbi vendndodhjen e ish-lojtarit.

Viafara u bë i famshëm gjatë periudhës së tij te Once Kaldas, me të cilën në vitin 2004 fitoi edhe Kupën Libertadores duke shënuar në finalen e fituar përballë Boka Juniors. Ai është një nga ish-futbollistët e shumtë të cilët kanë vazhduar një karrierë prej “narcos”, duke shfrytëzuar lidhjet që kishin krijuar gjatë karrierës apo famën për të shpërndarë substanca të palejuara.

Gjatë viteve të fundit, ish-mesfushori ishte bërë protagonist edhe i incidenteve të ndryshme si ai kur e kishin grabitur pasi e kishin gjuajtur me armë zjarri makinën e tij në Medejin, apo pasi përplasi makinën në gjendje të dehur në Kali. (Vipsport)

Leave a Reply