Rikthehen emocionet e Ligës së Kampionëve me gjysmëfinalen e parë, Totenham-Ajaks

Sonte rikthehet Liga e Kampionëve me ndeshjen e parë gjysmëfinale, ku mejdanin në Londër do të ndajnë Totenhami dhe Ajaksi.

Spektakli duket i garantuar në këtë sfidë që premton shumë paqartësi.

Pasi  eliminoi kampionët në fuqi të Realit të Madridit dhe një prej skuadrave pretendente për të triumfuar këtë sezon, Juventusin, Ajaksi i Ten Hag shikohet favorite edhe sot, për faktin se transfertat janë pika e fortë e holandezëve, ndërkohë që kanë edhe një avantazh të madh, pasi Totenhami nuk do të ketë në dispozicion dy sulmuesit e saj kryesorë, Hari Kejn (i dëmtuar) dhe Son Heung-Min (i skualifikuar).

Dy vendet e tyre në repartin e sulmit pritet të plotësohen nga Lukas dhe Ljorente, ndërsa një tjetër mungesë për “Spërsat” është edhe Aurier.

Mirëpo këtu nuk është fundi i problemeve të trajnerit Poçetino, pasi në dyshim të madh janë edhe Hari Uinks dhe Erik Lamela.

Në anën tjetër Ajaksi do të jetë i kompletuar, pasi nuk ka probleme me dëmtimet ose skualifikimet.

Të dyja skuadrat do të kërkojnë të hedhin që sot një hap drejt finales së madhe edhe pse gjasat janë që gjithçka të vendoset javën e ardhshme në Amsterdam.

Ndeshja Totenham – Ajaks starton në ora 21:00, ndërsa spanjolli Lahoz do të jetë bylbyli kryesor i këtij takimi.

Leave a Reply