FC Shkupi pëson, por vendin e katërt nuk e lëshon (VIDEO)

FC Shkupi ka pësuar edhe disfatën e 14-të këtë edicion në elitën e futbollit vendor, teksa sot në ndeshjen e javës së 33-të u mund në transfertën në Gjorçe Petrov nga Makedonija GJ.P me rezultatin minimal 1:0, njofton “infOSport.mk”.

Ishte një pjesë e parë shumë e dobët e “bardhekaltërve” nga Çairi, të cilët kapituluan në minutën e 30-të, kur Dejan Tanturovski, me një goditje nga distanca shënoi golin e epërsisë, që në fund u tregua edhe si vendimtarë në fitoren e 10-të sezonale të Makedonija GJ.P.

Gjatë pjesës së parë Makedonija GJ.P shumë lehtë mund të ndodhte që të shënonte edhe golin e dytë, mirëpo goditja e bullgarit Pecov u ndal në traverëzë, teksa super goditjen e Bozhinovskit nga jashtë 16-të metërshit, portieri Azizi e devijoi në rivënie nga këndi.

Pjesa e dytë ishte më e mirë për FC Shkupin, skuadër kjo që diktoi tempo, mirëpo duke mos arritur që të shënojë të paktën golin e barazimit.

Në fund fitore minimale e Makedonija GJ.P, që tashmë është ngjitur në pozitën e 7-të me 41 pikë, ndërkohë FC Shkupi me 2 pikë më shumë vazhdon të mbajë pozitën e katërt, duke ëndërruar njëkohësisht edhe për një vend në Europë.

Leave a Reply