Ja si i kishte motivuar Ramadani futbollistët e tij para ndeshjes finale me Trepça ‘89

Brenda vetëm pak ditëve Zekirja Ramadani i është gëzuar edhe titullit të dytë këtë edicion me Feronikelin, duke u konfirmuar në një trajner kampionësh, pasi edhe para dy viteve kur udhëhoqi skuadrën e Trepça ’89 strategu shkupjan ishte shpallur kampion me skuadrën nga Mitrovica, njofton “infOSport.mk”.

Fati deshi që pikërisht ndaj kësaj të fundit Ramadani sonte ti gëzohet suksesit të tij më të madh në futbollin kosovar, duke fituar titullin e dyfishtë.

Feronikeli i Ramadanit në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë mundi Trepça ’89 me rezultatin 5:1, duke konfirmuar formën e mirë të këtij edicioni.

Pas përfundimit të ndeshjes strategu shkupjan në një intervistë për “Supersport Kosova”  tregoi se si i kishte motivuar futbollistët e tij edhe për këtë ndeshje. “Ishte një test për ekipin, pasi duhet të jemi të motivuar në çdo ndeshje. Jo vetëm në ndeshjet me Prishtinën, apo në ndeshjet deçizive duhet të luajmë mirë. Para ndeshjes ju thash lojtarëve të mi se në këtë ndeshje dalim si jo kampion, sikur nuk e kemi të fituar kampionatin.  Mund të them se vendimtare ishin dy golat në pjesën e parë. Edhe Trepça ’89 pas 2:0 nuk kishte më koncentrim, ndërsa një gjë e tillë na i lehtësoi edhe më shumë punët. Fitoren e thellë na mundësoi edhe 89-shi që rrezikoi në pjesën e dytë, duke na sulmuar, por njëkohësisht edhe duke na lënë shumë hapësira në sulm neve” – tha Ramadani për “SuperSport Kosova”.

Leave a Reply