Ish sulmuesi i FC Shkupit nënshkruan me Makedonija GJ.P

Ish sulmuesi i FC Shkupit, Alen Jasharoski, i cili së fundmi ishte pjesë e Prishtinës, është rikthyer në Maqedoni, mirëpo kësaj rradhe duke iu bashkuar ish skuadrës së tij, Makedonija GJ.P, njofton “infOSport.mk”. Pikërisht nga kjo skuadër në verën e vitit 2017-të, Jasharoski kishte ardhur te FC Shkupi, ndërsa paraqitjet e tij të mira me fanellën e skuadrës nga Çairi i mundësuan atij transferimin te Prishtina.

Edhe pse te skuadra e njohur kosovare ai erdhi si një përforcim i bujshëm, realiteti doli të jetë krejt ndryshe. Brenda 1 viti ai luajti vetëm në 13 ndeshje kampionale, në pjesën më të madhe si zëvendësues, ndërsa 3 ndeshje të tjera kishte zhvilluar edhe në eliminatoret e Liga Europa. Megjithatë goli mungoi, ndërsa e gjithë kjo bëri që drejtuesit e Prishtinës të mos i vazhdojnë kontratën, duke e lënë të lirë.

Edhe pse emri i tij përmendej si një përforcim i mundshëm i FC Shkupit, një gjë e tillë nuk ndodhi, dhe në fund Jasharoski vendosi të nënshkruaj me Makedonija GJ.P., me të cilën skuadër do të ketë mundësinë që sërish të luaj në Europë, transmeton “infOSport.mk”.

Rikujtojmë Makedonija GJ.P falë dështimit të Vardarit për të marrë liçencën e duhur për garat europiane, do e prezantojë Maqedoninë e Veriut në eliminatoret e Liga Europa, ndërsa emrin e kundërshtarit të parë do ta mësojë gjatë ditës së nesërme kur në Nion të Zvicrës do të hidhet shorti për ndeshjet e raundit të parë në të dyja kompeticionet më të rëndësishme europiane.

Leave a Reply