Feronikeli i Ramadanit “kopjon” FC Shkupin, bileta falas për ndeshjen e Liga Europa

Skuadra kampione e Kosovës, Feronikeli, që udhëhiqet nga strategu shkupjan, Zekirja Ramadani, t sërish do të dhurojë bileta falas për hyrjen në stadiumin “Fadil Vokrri”, aty ku me datë 30 korrik (e martë), skuadra nga Drenasi do të zhvillojë ndeshjen e kthimit të raundit të dytë të Liga Europa kundër skuadrës së Slovan Bratislava nga Sllovakia, njofton “infOSport.mk”.

Një gjë të tillë drejtuesit e skuadrës kosovare kishin bërë edhe në duelin e fundit të tyre të zhvilluar në Prishtinë në kuadër të raundit të parë eliminatorë të Ligës së Kampionëve, ndaj skuadrës së Nju Seints nga Uellsi.

Më shumë se 3 mijë bileta ishin dhuruar falas për atë ndeshje, ndërsa sipas numrit një të skuadrës kampione të Kosovës, Naser Ramaj, i njëjti numër pritet të dhurohet edhe për ndeshjen e së martës ndaj 17 herë kampionëve të Sllovakisë.

Rikujtojmë Feronikeli në ndeshjen e parë të zhvilluar në Bratislavë kishte pësuar disfatë 2:1, ashtu që edhe një fitore e tyre minimale 1:0 do ju siguronte biletën për raundin e tretë eliminatorë të Liga Europa.

Ndryshe për dallim nga Feronikeli, javë më parë skukadra e FC Shkupit në kuadër të ndeshjes së kthimit të raundit të parë eliminatorë të Liga Europa, ndaj skuadrës armene të Pjunik, kishte hapur dyert e arenës “Todor Proeski” për gjithë tifozët e futbollit.

Leave a Reply