Higuain mendon rikthimin te Napoli

Gonzalo Higuain vazhdon të punojë nën urdhrat e Mauricio Sarrit, por e ka të qartë që duhet të gjejë sa më shpejt një skuadër tjetër, pasi nuk bën më pjesë në planet e teknikut të ri të Juventusit.

Sulmuesi argjentinas kërkohet me ngulm nga Roma, e cila është gati t’i besojë një rol lideri në ekip dhe rreth tij të ndërtojë fazën ofensive të skuadrës, por “Ujkesha Romake” si duket se nuk e josh futbollistin.

Sipas gazetarit të RAI-t, Paolo Paganini, Higuain ka folur me vëllanë menaxher të tij, për të parë mundësinë e një rikthimi te Napoli, skuadër që luan në Ligën e Kampionëve dhe që gati çdo vit synon titullin kampion.

Higuain u largua nga Napoli në verën e vitit 2016-të, për një shifër prej 90 milionë eurosh, por fakti që kaloi te Juventusi, bëri që raportet e tij me tifozërinë napolitane, të thyheshin.

Sulmuesi luajti për 3 sezone me napolitanët dhe arriti të shënojë 71 gola, në vetëm 104 ndeshje të zhvilluara, duke u shndërruar përkohësisht në “beniaminin” e tifozërisë “napolitane”.

Leave a Reply