Juventusi i shkakton humbjen e parë Interit

Tango argjentinase në San Siro. Pas 6 javësh në të cilat kishte koleksionuar 6 fitore, Interi i Antonio Contes u mposht tek më e bukura dhe nga më të fortët. Juventusi i Sarrit e ndali hovin e zikaltërve duke fituar 1-2 në një San Siro të tejmbushur nga tifozët e Interit. Një fitore që zbriti Interin nga kreu dhe ngjiti në majë të klasifikimit të Serie A, pikërisht Juventusin skuadrën favorite për titullin e 9-të radhazi dhe që ka dominuar 8 sezonet e fundit. Dybala dhe Higuain i ardhur në fushë nga stoli realizuan dy golat bardhezi ndërkohë Lautaro Martinez me një penallti barazoi përkohësisht shifrat në pjesën e parë. Nisi me një ritëm të çmendur derbi i Italisë, me Dybalan që shtangu Handanovic pa u mbushur ende 4 minuta lojë. Pak çaste më vonë fati nuk ishte me Juven kur goditja e Ronaldos u ndal nga traversa.

Reagimi i Interit gjithsesi nuk mungoi me De Ligt që preku topin me dorë brenda zone dhe Lautaron që nuk gaboi nga 11-metra distancë duke barazuar shifrat. Scszesny ndali argjentinasin me një pritje të bukur pak minuta më vonë pas një kundërsulmi të shpejtë të zikaltërve, ndërkohë që në fundin e pjesës së parë, Ronaldo kaloi në epërsi por goli u anullua për një pozicion jashtë loje të Dybalas. Dëmtimi i Sensit në pjesën e parë i prishi planet Contes pasi Vecino shumë larg pritshmërive dhe në fillimin e pjesës së dytë presioni i bardhezinjëve asfiksoi zikaltrit të cilët gjithsesi ngritën kokë por u ndëshkuan atëherë kur nuk e prisnin pikërisht në minutën e 80-të nga El Pipita Gonzalo Higuain ai që i kishte ndëshkuar edhe në 2018-ën në humbjen e fundit në shtëpi ndaj Juves. Deri në fund përpjekjet e Interit nuk sollën më asgjë me zikaltrit që pësuan humbjen e parë dhe Juventusin që mori kreun me një pikë më shumë 19 kundrejt 18 të Interit dhe që ende nuk njeh asnjë disfatë.

Leave a Reply