Egzon Bejtullai po shndërohet në lider te Shkëndija

Mbrojtësi reprezentues i Maqedonisë së Veriut, Egzon Bejtullai tashmë një periudhë më të gjatë kohore luan në nivele të larta, por përfundimisht ngadalë po shndërohet në lojtarin kryesor te Shkëndija e Tetovës. Në këtë kampanjë të re kur kuqezinjtë tetovarë përballen me krizë rezultatesh, futbollisti 25-së vjeçar me shumë përgjegjësi mban shiritin e kapitenit dhe në terren sillet si lider i vërtetë.

Për të konfirmuar këto përshtypje të gjithë njohësve të mirë të futbollit, si fakt flasin shifrat dhe numrat. Pas startit pa fitore në katër xhirot e para kampionale, Egzon Bejtullai ishte ndër lojtarët më të mirë të Shkëndijës në tre fitoret rresht gjatë të cilave kuqezinjtë mundën pa gol të pranuar Rabotniçkin (3:0), Renovën (2:0) dhe Struga Trim&Lum (2:0). Në sfidën me struganët mbrojtësi dëmtoi kyçin e këmbës dhe në dy ndeshjet pasardhëse Shkëndija nga ekip që nuk pësonte gol për 270 minuta, në duelet me Vardarin (2:2) në Kupë dhe Shkupin (humbje 2:0) në kampionat pranonte nga dy gola.

Të shtunën e kaluar në kuadër të xhiros së 9-të Bejtullai ishte në formacion pasi kishte rikuperuar lëndimin dhe sërish shkëlqeu për 90-të minuta me saktësi e energji shtesë që mes disa intervenime të sigurta i jepte tjetër ton lojës së Shkëndijës. Epilogu, tetovarët sërish u kthyen të mbyllin ndeshjen pa gol të pranuar, ashtu si bënin para lëndimit të Bejtullait. Fatkeqësisht faza e sulmit ishte e pafat të shënojë kundër Vardarit dhe përkundër dominimit derbi u mbyll pa gola.

Ndryshe Egzon Bejtullai sot (e hënë) është bashkuar me ekipin përfaqësues të Maqedonisë së Veriut në përgatitjet për ndeshjet eliminatore për EURO 2020 kundër Sllovenisë dhe Polonisë. Paraprakisht ditën e dielë të lirë si adhurues i motoçiklizmit malor e ka shfrytëzuar për të shijuar bukuritë e pafundta të Malit Sharr./InfOSport.mk

Leave a Reply