Kosova dominon dhe fiton Malin e Zi, duke ëndërruar “Euro 2020”

Përfaqësuesja e Kosovës ka zhvilluar edhe një tjetër super ndeshje në stadiumin “Fadil Vokrri”, aty ku nuk njeh humbje në ndeshjet ndërkombëtare, njofton “infOSport.mk”. Të besuarit e strategut Bernard Çallandes mundën Malin e Zi me rezultatin 2:0, mirëpo sipas rasteve të regjistruara nga ana e futbollistëve “dardan”, malazezët duhet të jenë të kënaqur që në shtëpi u rikthyen vetëm me dy gola në rrjetë.

Fitoren e “dardanëve” e paralajmëroi kapiteni Amir Rrahmani, i cili në minutën e 10-të kërceu më së larti në zonën kundërshtare, dhe me kokë arriti që të shënojë për 1:0. Edhe pas këtij goli, presioni i Kosovës nuk ndaloi, pasi ai sa vinte e shtohej, ndërsa në një rast të tillë, në minutën e 35-të erdhi edhe goli i dytë, me autorë Vedat Muriqi, që vazhdon të shkëlqejë me fanellën e përfaqësueses së Kosovës.

Edhe pjesa e dytë foli në tërësi për ekipin “dardan”, mirëpo edhe përkundër rasteve të shumta të krijuara, goli mungoi. Më afër ishte sërish Vedat Muriqi, i cili me kokë goditi traverzën, ndërsa nuk munguan edhe tentativat e Rashicës, Berishës, Celinës, Vojvodës e Shalës, që në fund shkaktuan shumë kokëdhembje për futbollistët malazez, që në fund e lëshuan fushën mjaft të nervozuar, transmeton “infOSport.mk”.

Me këtë fitore Kosova mban gjallë shpresat për një vend të Euro 2020, pasi “dardanët” tashmë kanë 11 pikë, vetëm një më pak se Çekia e vendit të dytë, ndryshe kundërshtari i rradhës i përfaqësueses së Kosovës në muajin nëntor.

Gjithsej të etiketuara

Leave a Reply