Sileksi plotë 11 vite nuk fiton ndaj Shkëndijës në Tetovë!

Mesjava sjell xhiro të rregullt në elitën e futbollit vendor, aty ku skuadra kampipone e Shkëndijës do të ketë mundësi të re për t’i dhënë fitoren e parë në pankinë trajnerit të ri, Ernest Gjoka.

Strategu nga Tirana debutoi me disfatë në pankinën e “kuqezinjëve” të premten e shkuar kundër Akademia Pandevit, ndërsa ndeshja e nesërme ndaj Sileksit do të jetë një mundësi e mirë për të marrë fitoren e parë si trajner i Shkëndijës.

Kjo edhe për faktin se skuadra kundërshtare e Sileksit  në Tetovë vjen me një bilans jashtëzakonisht negativ në ndeshjet e luajtura si mysafir në këtë sezon, pasi numërojnë pesë disfata nga po aq ndeshje në të cilat kanë shënuar vetëm një gol dhe kanë pranuar 9-të.

Të shtunën në Kratovë fituan bindshëm 3:0 Renovën, duke koleksionuar pikë të rëndësishme që i mbajnë në mesin e tabelës dhe për këtë meritat shkojnë në paraqitjet pozitive në fushë të vet ku kanë katër fitore dhe një disfatë.

Në 44 përballje mes veti deri tani Shkëndija dominon me 29 fitore dhe 7 barazime, derisa Sileksi numëron vetëm 8 triumfe. Herën e fundit Sileksi në Tetovë ka triumfuar 11-të vite më parë, saktësisht në prill të vitit 2008 kur fitonin 1:2. Prej atëherë kuqezinjtë kanë dominuar dhe pretendimet janë që ky bilans të vazhdojë edhe pas ndeshjes së nesërme që starton në ora 14:30.

Leave a Reply