Një tjetër shkupjan merr drejtimin e Feronikelit

Skuadra e Feronikelit si duket është e lidhur ngushtë me emra trajnerësh nga Shkupi, teksa sot drejtuesit e skuadrës nga Drenasi kanë emëruar Agim Sopin si kryetrajner, njofton “infOSport.mk”.

Shkupjani Sopi te Feronikeli do të zëvendësojë malazezin e shkarkuar, Vukiçeviç, i cili vetëm muaj më parë kishte pasuar strategun shkupjan, Zekirja Ramadani.

50-vjeçari Sopi më parë ka qenë ndihmës trajner tek Kombëtarja e Maqedonisë U21, ndërkohë karrierën më të gjatë e ka kaluar në Suedi, tek skuadrat si Landskrona, Prespa Birlik e Rosengard.

Trajneri, Agim Sopi, është i njohur për kualifikimin e skuadrës së Maqedonisë së Veriut U21 në Kampionatin Evropian në rolin e trajnerit, gjatë viteve 2014-2017.  Para se të merrte drejtimin e skuadrës së FC Feronikelit, Sopi drejtoi skuadrën suedeze Landskrona, ndërsa tashmë para tij është një sfidë paksa e rëndë, pasi Feronikeli dëshiron të ruajë epitetin e kampionit, të futuar edicionin e kaluar pikërisht me shkupjanin tjetër, Zekirja Ramadani.

Mbetet të shihet nëse Sopi do përsëris suksesin e bashkëqytetarit të tij edhe këtë edicion, në të cilin Feronikeli pas 12 xhirove ndodhet në pozitën e 6-të me 19 pikë, apo 7 pikë më pak se lideri aktual, Ballkani.

Leave a Reply