Lajm jo i mirë për Kosovën, kundër Çekisë pa sulmuesin kryesor, Muriqi!

Sulmuesi i Përfaqësueses së Kosovës, Vedat Muriqi, nuk do të jetë në gjendje të luajë në ndeshjen kundër Çekisë, më 14 nëntor në Plzen. Përkundër përpjekjeve maksimale dhe dëshirës së madhe të futbollistit për t’i ndihmuar skuadrës në këtë ndeshje të rëndësishme, pas ekzaminimeve të bëra mjekësore dhe konsultimeve edhe me ekspertë të kësaj fushe në Zvicër ka rezultuar që paraqitja e tij është e pamundshme të ndodhë.

Muriqi ishte një ndër sulmuesit më në formë te përfaqësuesja e Kosovës, për të cilën në 6 ndeshjet e deritanishme në kuadër të ciklit eliminator për Euro 2020 kishte shënuar 4 gola. Ai gjithashtu po rezulton të jetë edhe sulmuesi kryesor te skuadra e Fenerbahçes, për të cilën në 11 ndeshje ka shënuar 7 gola, përfshirë këtu edhe 2 golat në ndeshjen e fundit kundër Kasimpasha, kur ndihmoi skuadrën e tij për të arritur deri tek fitorja 3:2.

Megjithatë pikërisht kjo ndeshje doli të jetë e kobshme për 25-vjeçarin Muriqi, i cili pësoi një dëmtim, që tashmë përfundimisht do ta largojë nga ndeshja e parë kundër Çekisë, ndërsa në pikpyetje të madhe do të jetë edhe për ndeshjen e 17 nëntorit kundër Anglisë në Prishtinë.

Leave a Reply