Gjoka pas fitores së thellë: Kemi edhe shumë punë, jemi ende larg objektivitivit (VIDEO)

Shkëndija vazhdon serinë pozitive edhe pas pauzës ndërkombëtare të kampionatit, pasi triumfi i sotëm 6:1 ndaj Renovës ofron tetovarët pranë kreut të tabelës. Nëse xhiroja e 13-të kuqezinjtë i shihte 12-të pikë larg vendit të parë, pas dueleve të xhiros së 15-të Shkëndija ka shkurtuar negativën me kreun në 7-të pikë. Ky fakt i jep vlerë të shtuar triumfit më bindës të këtij sezoni, në të cilin gjashtë golat e kuqezinjëve mbajnë firmën e gjashtë emrave të ndryshëm. Imeri, Alimi, B. Ibraimi, A. Ibraimi, Fazli dhe Totre shënuan për Shkëndijën, ndërsa goli i Renovës erdhi nga Remzifaik Selmani.

Trajneri i Shkëndijës, Ernest Gjoka ka reflektuar me pozitivitet pas triumfit bindës përballë Renovës.

Ernest Gjoka: “Mendoj se gradualisht ekipi po përgjigjet ndaj gjërave që ne kërkojmë si staf. Mendoj se na duhet akoma më shumë punë, sepse që të arrish të krijosh një filozofi loje don shumë orë pune”.

Ernest Gjoka: “Mua sinqerisht më pëlqeu skuadra sepse ishte përgatitur ndeshja pak me vështirësi pasi dihet se derbit e qytetit janë të vështira. Duke u mbështetur edhe te ndeshja e parë që kishte fituar Shkëndija, por kishte pasur shumë problem, kjo na bëri të jemi pak të tensionuar për këtë ndeshje. Por gjithsesi erdhën momente të mira dhe arritëm ta kalonim me fitore këtë ndeshje”.

Ernest Gjoka: “Më kënaq fakti që gjashtë autor të ndryshëm shënuan golat dhe kjo tregon se skuadra po reagon dhe goli vjen nga askionet që kanë një mendim. Sigurisht, sa më shumë të shënojnë, aq më mirë është që mos të kemi vetëm një pikë referimi, sepse duke qenë se një skuadër mund të ketë vetëm një pikë referimi kundërshtarët mund të marrin masa”.

Ernest Gjoka: “Golat ishin aksione të paramenduara dhe gjëra që i kemi ushtruar dhe më kënaq fakti që këto gjëra spikasin. Por ne kemi akoma shumë punë për të bërë sepse kampionati është shumë i gjatë dhe ne jemi shumë larg nga ato objektiva që Shkëndija ka si klub”.

Ernest Gjoka: “Kemi shkurtuar diferencën me kreun dhe kjo duhet të na karikojë sepse kampionati fitohet edhe me gjysmë pike, jo më të jesh shtatë pikë larg. Diferenca vazhdon të jetë shumë e madhe dhe ne akoma nuk kemi arritur të bëjmë ato objektiva që na takojnë”.

Leave a Reply