Napoli në një gol shou mundi Sampdorian, Elmaz shënon golin debutues me “napolitanët” (VIDEO)

Skuadra e Napolit ka treguar shenja serioze për dalje nga kriza e rezultateve, pasi sonte regjistroi edhe fitoren e dytë me rradhë në ndeshjet e “Serie A”, njofton “infOSport.mk”.

Sonte të besuarit e trajnerit Xhenaro Gatuzo bënë një super ndeshje kundër Sampdorias  si mysafir, duke shënuar fitore 4:2 në ndeshjen e fundit të javës së 22-të, me ç’rast skuadra “napolitane” tashmë është ngjitur në pozitën e 9-të.

Në ndeshjen paraardhëse të “Serie A”, Napoli mundi Juventusin (2:1) në “San Paulo”.

Në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Luixhi Feraris” kishte gjithçka, dëshpërime, kthesa, shpresë, dramë të vonshme, dy gola të anuluar dhe plotë 6 gola të shënuar, e ku në fund fitores iu gëzuan mysafirët.

Napoli në këtë ndeshje u fut me shumë vetëbesim në fushë, të ngazëllyer edhe nga fitoret ndaj Lacios në Kupë dhe Juventusit në kampionat.

Futbollistët e Napolit kishin më shumë nga loja, ndërsa avantazhin e krijuan vetëm pas 3 minutave lojë me anë të Arkadiush Milik, i cili shënoi me kokë pas harkimit të Petar Zielinski. Në minutën e 16-të “napolitanët” dyfishuan rezultatin falë shkupjanit, Elif Elmaz, i cili shënoi golin e tij debutues në “Serie A”.

Veterani Fabio Kualjarela në minutën e 26-të ngushtoi epërsinë e mysafirëve, duke bërë që pjesa e parë të mbyllet me shifrat 1:2.

Në minutën e 56-të Sampdoria barazoi me anë të Manolo Gabiadinit, mirëpo arbitri anuloi golin e italianit pas konsultimeve me asistentët e VAR, për shkak prekjes me dorë gjatë zotërimit të topit.

Pak më vonë edhe goli i Napolit u anulua për shkak pozitës jashtë loje që ndodhej Zielinski.

Në minutën e 70-të sërish ishte VAR ai që doli në skenë, pasi Kostas Manolas kishte fauluar Kualjarelan në zonën e rreptësisë. Gabiadini realizoi nga pika e bardhë, ndërsa Kualjarela duheshe të lëshojë fushën, transmeton “infOSport.mk”.

Rezervisti Diego Deme në minutën e 83-të sërish kaloi në epërsi Napolin, ndërsa rezultatin përfundimtarë, Sampdoria 2, Napoli 4, e vendosi Dris Mertens në minutën e 8-të shtesë të takimit (98’).

Leave a Reply