Dyshja më në formë e Futsal Shkupit flet para ndeshjes me Crna Rekën

Futsal Shkupi stinorin pranveror e nisi me fitore, duke marrë që në start kryesimin në elitën e futsalit vendor. “Bardhekaltërit” nga Çairi javën e kaluar mundën në transfertë Mal Ajaksin (10:3), ndërsa falë disfatës së Proekt Ciko, ata tashmë kryesojnë të vetëm renditjen në elitën e futsalit vendor, njofton “infOSport.mk”.

Të dielën Futsal Shkupin e pret përballja kundër Crna Rekës në Kavadar, ndërsa në prag të këtij takimi për faqen zyrtare të klubit nga Çairi ka folur dyshja më efikase, Erkan Seferi dhe Erkan Shabani.

“Na pret një transfertë e vështirë, në të cilën nuk i ikim rolit të favoritit, megjithatë një gjë të tillë do të duhet të dëshmojmë edhe në parket. Shpresoj të vazhdojnë serinë e ndeshjeve pa humbje dhe të arkëtojmë 3 pikë të mëdha që do na shërbenin në prag të sfidës derbi me Ciko Proekt” – është shprehur Erkan Seferi.

Në anën tjetër një ndër talentët e futsalit vendor, Erkan Shabani, thotë se beson fuqishëm në një fitore të rradhës të Futsal Shkupit, që do i shërbente skuadrës për atmosferën pozitive në prag të derbit të madh kundër Proekt Ciko-s.

“Shpresoj të vazhdojë me formën e mirë dhe të ndihmojë skuadrën duke shënuar sërish. Megjithatë do them se kjo ka pak rëndësi, e rëndësishme është që skuadra të fitojë dhe të ec përpara. Besojmë fuqishëm në një fitore të rradhës që do shërbente në atmosferën pozitive në rradhët tona”  – ka deklaruar Erkan Shabani.

Kujtojmë dyshja Erkan Seferi dhe Erkan Shabani kanë shënuar 10 gola nga gjithsej 24 në dy ndeshjet e fundit, përfshirë këtu ndeshjen e fundit kampionale kundër Mal Ajaksit (10:3) dhe atë të Kupës kundër Ovçe Poles (14:2). Seferi në të dyja ndeshjet realizoi nga 3 gola, ndërsa 21-vjeçari Shabani realizoi plotë 4 gola.

Ndeshja midis Crna Rekës dhe Futsal Shkupit në program është nesër (16.02) me fillim në ora 18:30.

Leave a Reply