Drita e Ardian Nuhiut fiton derbin e Gjilanit, Haxhimusa njeriu i ndeshjes

Drita e Ardian Nuhiut ka triumfuar në derbin më të madh kosovar, duke mundur rivalin lokal Gjilanin me rezultat 2:0, njofton “infOSport.mk”.

Si gjithnjë ndeshja midis dy skuadrave rivale nga qyteti i Gjilanit u zhvillua në një atmosferë të zjarrtë të krijuar nga “Intelektualët” dhe “Skifterat”.

Rrjetat heshtën në fraksionin e parë, edhe pse të dy skuadrat provuan që të vijnë deri të goli, madje, katër herë u qëlluan shtyllat, megjithatë, ekipet shkuan në pushim me rezultatin e bardhë.

Pjesa e dytë ishte edhe më e zjarrtë, sidomos nga ana e skuadrës “bardhekaltër” të cilët përmes Betim Haxhimusës shënuan dy gola në rrjetën e Gjilanit.

Golin e parë Haxhimusa e realizoi në minutën e 65-të, ndërkohë golin e nokautit ndaj rivalit të madh, e realizoi në minutën e 79-të.

Me këtë fitore Drita e Ardian Nuhiut, tashmë renditet e dyta në tabelë me 34 pikë, 3 më pak se Ballkani i vendit të parë, ndërkohë Gjilani me 32 pikë tashmë pozicionohet në vendin e katërt.

Përveç derbit të Anamoravës sot në kuadër të xhiros së parë të stinorit pranveror u zhvilluan edhe dy takime të tjera. Dukagjini dhe Llapi barazuan pa gola, derisa Flamurtari mundi Trepçën ’89, me rezultat 4:3.

Maxhuni (14’), Zeqaj (39’), Kelmendi (40’) dhe Gucev (78’), shënuan për kuqezinjtë, kurse, për “minatorët” realizuan Manaj (32’), Emini (54’) dhe Hoti (61’).

Leave a Reply