Verona nuk njeh humbje falë dy komandantëve shqiptarë në mbrojtje, Rrahmanit dhe Kumbullës

Verona tashmë seriozisht mund të besojë te Europa, pasi rezultatet dhe paraqitjet në fushë po i japin të drejtë. Pas fitores së bujshme 2:1 ndaj Juventusit, skuadra e Veronës arriti të marrë një pikë me mjaft vlera në transfertën ndaj Udinezes.

Me një nga mbrojtjet më të mira në kampionat, skuadra e drejtuar nga kroati Juriç ia doli të rezistojë e të mos pësojë gol as në “Dacia Arena”, ku sërish titullarë dhe protagonistë ishin dy mbrojtësit shqiptarë Amir Rrahmani dhe Marash Kumbulla.

Nga ana tjetër, veronezët dolën shpesh edhe në sulm, duke rrezikuar disa herë kuadratin e argjentinasit Musso, por sulmuesit nuk u treguan të saktë dhe nuk arritën të gjejnë qoftë edhe një gol, për të marrë 3 pikët.

Me këtë barazim Verona mban vendin e 6-të në renditje me 35 pikë, pozicion ky që siguron pjesëmarrje në Liga Europa, ndërsa tashmë mision i tyre do të jetë blindimi i kësaj pozite, për të mbetur aty deri në fund të sezonit.

Leave a Reply