Kulibali blen shtëpi në Paris, transferimi te PSZH po bëhet realitet!

Nuk la më asnjë dyshim, mbrojtësi i Napolit, Kalidu Kulibali sezonin e ardhshëm do të luajë me Paris Sen Zhermenin në “Ligue 1”.

Kulibali shihet si zëvendësim për Tiago Silvan, të cilit kontrata me ekipin parisien i përfundon me 30 qershor të këtij viti. Për më tepër lëvizja e fundit që ka bërë vetë Kulibali, bënë që të shtohen edhe më shumë zërat për transferimin e tij te PSZH-ja, pasi mbrojtësi 28-vjeçar së fundmi ka blerë një shtëpi me vlerë 4 milionë euro në kryeqytetin francez.

Nga detajet që jep “Le Parisien”, mbrojtësi senegalez ka prenotuar një apartament me sipërfaqe 220 metra katrorë e që vlerësohet plot 4 milionë euro. Në fakt, apartamenti në fjalë është në ndërtim e sipër dhe pritet të përfundojë brenda pak muajsh.

Nga ana e tij, presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentiis e vlerëson kartonin e futbollistit në 75 milionë euro, shumë kjo e madhe edhe për një klub të pasur si PSZH-ja.

Në gjurmët e Kulibalit është vënë prej kohësh edhe Mançester Siti, tashmë e rënë, nëse merret në konsideratë fakti që kampionët në fuqi të Anglisë janë përjashtuar nga kompeticionet europiane për dy sezonet e ardhshme.

Leave a Reply