Lena ngacmon ish profesorin e tij, Ernest Gjoka, ky i fundit i kundërpërgjigjet

Sot në futbollin tonë vendor zënë vend ndeshjet e kthimit të ¼ së finales në kuadër të Kupës, njofton “infOSport.mk”.

Në mesin e 8 skuadrave pjesëmarrëse, bëjnë pjesë edhe 4 shqiptare, përfshirë këtu edhe Shkëndijën dhe Struga Trim Lum.

Këta të fundit do të përballen me Renovën në Tetovë, ndërsa Shkëndija në Shkup do të luaj kundër Rabotniçkit. Ndeshjet e para ishin mbyllur me barazime, ashtu që nëse dëshirojnë kualifikim në gjysmëfinale, edhe Shkëndija dhe Struga Trim Lum do të duhet të shënojnë fitore në përballjet e sotme.

Ndërkohë në prag të këtyre sfidave, mesfushori i Struga Trim Lum, Nijas Lena ka ngacmuar ish profesorin e tij, Ernest Gjoka, aktualisht trajner i Shkëndijës.

Lena në një koment të bërë në faqen zyrtare të Shkëndijës në “facebook”, i kishte shkruar Gjokës: “Takohemi në gjysmëfinale prof”, ndërsa gjithë këtë strategu “kuqezi” e kishte pranuar me shumë sportivitet dhe kënaqësi, duke i’a kthyer me një të qeshur: “Nijas Lena haaaa, ishalla”.

Si duket që të dy do të dëshironin një përballje njëri kundër tjetrit, mirëpo fillimisht do të duhet që me skuadrat e tyre të eliminojnë kundërshtarët që do të kenë përballë sot, Rabotniçkin, gjegjësisht Renovën dhe më pas të shpresojnë që goglat do të vendosin Shkëndijën dhe Struga Trim Lum përballë njëra tjetrës.

Kujtojmë se Lena dhe Gjoka kishin kaluar një periudhë bukur të mirë fillimisht te Flamurtari, duke fituar Kupën e Shqipërisë dhe më pas edhe te Kukësi, duke u shpallur kampion dhe duke fituar edhe trofeun e SuperKupës.

Leave a Reply