Liga e Kombeve, Kosova ka ekipin më të ri

Përfaqësuesja e Kosovës rezulton si më e reja, kur është në pyetje mosha e futbollistëve në dallim prej gjithsej 15 shteteve tjera që do të garojnë në Ligën C të Kombeve.

“Dardanët” që luajnë bashkë tashmë qe një kohë të gjatë kanë moshë mesatare prej 24.5-vjeç.

6 skuadra tjera të kësaj lige kanë moshë mesatare prej mbi 26-vjeç, 5 të tjera kanë moshë mesatare mbi 27-vjeç, teksa 3 të tjera janë edhe më të vjetra me moshë mesatare prej mbi 28-vjeç.

Kjo është diçka fantastike për Kosovën, e cila tashmë qe një kohë luan me të njëjtit futbollistë, e të cilët do të kenë mundësi të luajnë edhe shumë gjatë së bashkë, gjë që ka mundësi të madhe të reflektojë me komponim të jashtëzakonshëm të skuadrës dhe në saje të saj të priten edhe sukseset.

Kujtojmë Kosova në kuadër të Ligës së Kombeve për Botërorin e vitit 2022, do të luaj në grupin 3 të Ligës C, bashkë me Greqinë, Slloveninë dhe Moldavinë.

Në Grupin 1 bëjnë pjesë Mali i Zi, Qipro, Luksemburgu dhe Azerbajxhani.

Gjeorgjia, Maqedonia, Estonia dhe Armenia janë në Grupin 2, ndërkohë Shqipëria do të garojë në Grupin 4 me Bjellorusinë, Lituaninë dhe Kazakistanin.

Me paraqitjet e saj në edicionin e kaluar të Ligës së Kombeve, ku e fitoi njërin prej grupeve të Ligës D, e po ashtu në kualifikimet për “Euro 2020” Kosova ka fituar respekt të madh ndërkombëtar.

Madje, ende është në garë për kualifikim në “Euro 2020”, duke pasur parasysh se do të luaj në gjysmëfinale të Ligës D kundër Maqedonisë, teksa në gjysmëfinalen tjetër të kësaj lige do të përballen Gjeorgjia dhe Bjellorusia.

“Dardanët” shpresojnë të mundin Maqedoninë në Shkup me datë 26 mars, që më pas të dalin fitues edhe në finalen e madhe ndaj skuadrës fituese nga përballja, Gjeorgji-Bjellorusi.

Leave a Reply