Arrihet paqe te Sioni, rikthehen Kasami, Lenjani dhe 7 “rebelët” e tjerë

Skuadra zviceriane e Sionit ka gjetur marrëveshjen me futbollistët, për të vijuar bashkëpunimin, edhe pse më parë kishte pasur një përplasje. Një gjë të tillë për “Sporti në KTV” ka pohuar anësori i majtë i Kombëtares shqiptare, Ermir Lenjani: “Jemi marrë vesh që të kthehemi në ekip dhe të luajmë deri në fund të kontratës me Sionin. Edhe Pajtimi edhe lojtarët tjerë të larguar janë kthyer te klubi. Pas përfundimit të kontratës do të shohim se çfarë do të bëjmë”.

Drejtuesit e Sionit menjëherë pas ndërprerjes së kampionatit, u kishin dërguar një dokument 9 futbollistëve për të pranuar një marrëveshje, sipas së cilës ata do të duhet të vazhdonin me pagë maksimale 12350 franga zvicerane, shifër kjo e vlefshme me atë që jepet nga sigurimet shoqërore kur je i papunë.

Lojtarët, mes tyre edhe Ermir Lenjani dhe Pajtim Kasami, kishin kohë rreth 24 orë për t’i kthyer një përgjigje klubit. Gjithçka ndodhi më 19 mars.  Futbollistët nuk e pritën mirë kërkesën e klubit dhe një pjesë e tyre nuk ishin dakord, sidomos prej mënyrës se si ndodhi e gjitha.

Nga ana tjetër, klubi sipas Blick nuk ju përgjigj lojtarëve për të dhënë sqarime të mëtejshme. Teza e Sion ishte që “Jemi të privuar nga të gjitha të ardhurat tona. Na është ndaluar t’u ofrojmë punën e tyre dhe jemi të ndaluar që ata ta bëjnë punën”. Vendimi i Sion hasi edhe në kundërshtinë e Shoqatës Zvicerane të Futbollistëve, që u ankua menjëherë. (abcnews)

Leave a Reply