Muhamed Thaçi flet për krijimin e ligës mbarëkombëtare në basketboll

Ideja për krijimin e një lige të përbashkët të basketbollit mes Shqipërisë dhe Kosovës, ka ndezur debate të ndryshme në komunitetin e basketbollit në këto dy vende tona fqinje.

Lidhur me këtë çështje, është prononcuar edhe basketbollisti shkupjan, Muhamed Thaçi, një ndër më të mirët në rajon, i cili me sukses ka mbrojtur ngjyrat e disa prej skuadrave të njohura kosovare, por gjithashtu edhe në basketbollin tonë vendor.

Thaçi në një prononcim për “AssistOnline” ka theksuar dobitë dhe rreziqet që mund të vijnë në rast të krijimit të kësaj lige.

“Së pari shpresoj që sa më shpejtë të kaloj pandemia dhe të gjithë e posaçërisht ne shqiptarët ta kalojmë sa më me pak pasoja. Sa i përket idesë së krijimit të një lige mbarëkombëtare është shumë ide e mirëseardhur dhe besoj që do të ndihmonte në ngritjen e interesimit te publiku për të shikuar basketboll. Mirëpo pas pandemisë duke e ditë që edhe klubet do të preken financiarisht, besoj që është vështirë të krijohet një ligë e tillë, pasiqë e dimë që duhen mjete plus për realizimin e kësaj lige”, – u shpreh Thaçi.

Muhamed Thaçi aktualisht është pjesë e basketbollit gjeorgjian, ku me mjaft sukses udhëhoqi ekipin e njohur të Dinamo Tbilisi.

Kujtojmë që drejtuesit e Federatës së Basktbollit të Kosovës dhe ata të Shqipërisë vetëm se kanë filluar përpilimin e idesë së një lige të përbashkët.

Zhvillimi i Kupës së përbashkët që pritet të nis në shtator ose në muajin tetor, pritet të jetë hapi i parë drejt realizimit të këtij objektivi.

Leave a Reply