Mendohet anulimi i sezonit në Formula 1!

Formula 1 rrezikon ndjeshëm për të mos garuar fare gjatë vitit 2020. Në muajin shkurt makinat e kampionatit më të ndjekur të sportit të automobilizmit kryen teste parapërgatitore në Barcelonë, megjithatë pamjet e provave të mbajtura në Katalunjë, në cirkuitin e Montmelosë, mund të mbeten edhe të fundit përsa i përket këtij sezoni në Formula 1.

Shefi Ekzekutiv i Formula 1,  Chase Carey së fundmi ka pranuar me dhimbje se drejtuesit e skuadrave po ndërgjegjësohen gjithmonë e më shumë edhe për hipotezën që edicioni i sivjetshëm në këtë sport të mos zhvillohet fare.

Është një hipotezë gjithsesi dhe ka fare pak gjasa që kjo të ndodhë, por sidoqoftë nëse do të përmbushej ky lloj skenari në mënyrë të kuptueshme do të linte pasoja vërtet shumë të rënda për gjithë skuadrat pjesëmarrëse.

66-vjeçari amerikan me origjinë irlandeze shpjegoi se duke marrë në konsideratë një mundësi të tillë drejtuesit e skuadrave po diskutojnë për përballimin e huave të marra nga kreditorët e ndryshëm, me qëllim reduktimin e humbjeve.

Chase Carey deklaroi se akoma nuk ka shumë garanci, megjithatë sipas tij edicioni i 71-të i kampionatit botëror të Formula 1 do të zhvillohet brenda vitit 2020.

Leave a Reply