Gjithçka e kaluar me sukses, Emini i bashkohet Dritës në stërvitje

Izair Emini ndjehet mirë, ndërsa këtë më së miri e dëshmon me rikthimin e tij në stërvitje te skuadra e Dritës. Mesfushori tetovar që mbron ngjyrat e skuadrës gjilanase ishte futbollisti i vetëm nga Superliga e Kosovës që kishte rezultuar pozitiv me “Covid-19”.

Ai kishte rezultuar pozitiv në testin e parë të kryer në Shkup në spitalin privat “Acibadem Sistina”, me ç’rast sipas protokollit të Ministrisë së Shëndetësisë të vendit tonë, ai ishte izoluar në shtëpinë e tij.

Disa ditë më vonë, këtë herë në spitalin shtetëror, Emini rezultoi negativ, ndërsa negativ kishte rezultuar edhe në testin e së enjtes.

Me të kuptuar rezultatin gjatë ditës së premte, Emini, kishte udhëtuar drejt Kosovës, aty ku të shtunën kishte zbritur në fushë për tu stërvitur me fanellën e Dritës, skuadër kjo që e nisi mbarë rifillimin e sezonit në IPKO Superligën e Kosovës.

Drita që udhëhiqet nga strategu shkupjan, Ardian Nuhiu, mundi minimalisht 1:0 Flamurtarin, duke marrë përkohësisht kryesimin nga Ballkani.

Golin e vetëm në atë ndeshje për “bardhekaltërit” nga Gjilani e realizoi Astrit Fazliu, i cili festoi me fanellën e Izair Eminit, duke i’a dedikuar golin pikërisht mesfushorit tetovar.

Leave a Reply