Kasiljas tërhiqet nga gara për kryetar të Federatës Spanjolle të futbollit

Një ndër portierit më të mirë të Botës, Iker Kasiljas, gjatë muajit shkurt kishte njoftuar kandidaturën e tij për numrin një të Federatës Spanjolle të Futbollit.

Mirëpo 4 muaj më vonë, i njëjti tashmë ka njoftuar se po tërhiqet nga gara elektorale, pasi Luis Rubiales, presidenti aktual, ka bërë të ditur gjithashtu se ka qëllim të rizgjidhet (e ka marrë këtë detyrë në maj të vitit 2018).

Portieri i Portos pretendon se procesin zgjedhor, i nisur prej një jave, nuk është i drejtë dhe transparent, ashtu si duhet të jetë në të vërtetë.

Nëse Këshilli i Lartë i Sporteve jep miratimin, zgjedhjet mund të zhvillohen në 17 gusht, pasi të jetë krijuar Asambleja në ditët e para të korrikut.

140 anëtarët e asamblesë janë ata që vendosin për emrin e presidentit.

Kasiljas pretendon se situata ekonomike dhe sociale që po kalon Spanja bën të mendosh që përparësi nuk janë zgjedhjet në Federatën e Futbollit.

Me këtë lëvizje panorama është e qartë, Rubiales do të rizgjidhet president pa patur rivalë në garë.

Leave a Reply