Ibraimi dhe Alimi rinovojnë me Shkëndijën

Më një video-promovuese interesante e ku mes tjerash dy të rinjë tetovarë spikasin me shprehjen “Ku ka më mirë se në Shkëndijë”, tre herë kampionët e vendit kanë njoftuar vazhdimin e bashkëpunimit me dy lojtarë të rëndësishëm. Përkundër faktit se media të caktuara dhe opinioni tashmë një periudhë i paralajmëronin si pjesë e lloj lloj skuadrave tjera jashta vendit, Besart Ibraimi dhe Armend Alimi mbeten pjesë e Shkëndijës së Tetovës edhe në të ardhmen.

Kuqezinjtë tetovarë pasditën e sotme kanë komunikuar rinovimin e bashkëpunimit me dy prej lojtarëve më të rëndësishëm të viteve të fundit, kur Shkëndija shkruante pjesët më të lavdishme të historisë së saj. Me kontrata të skaduara dhe duar të lira për të zgjedhur të ardhmen e tyre, Besart Ibraimi dhe Armend Alimi kanë vendosur mos ndryshojnë ambient, duke firmosur kontrata të reja dy vjeçare. Mbajtja në përbërje të lojtarëve të kalibrit të Ibraimit e Alimit paraqet përforcimet më të mëdha të Shkëndijës në këtë merkato, pasi me ta në përbërje përfundimisht tetovarët mbesin kandidat kryesor për titullin e kampionit edhe në sezonin e ri.

Leave a Reply