Sekretari i FFK-së Salihu demanton presidentin e Prishtinës

Elita e futbollit kosovar ka hyrë në fazën e fundit dhe pesha e ndeshjeve që vendosin për titullin e kampionit dhe pozitave që çojnë në Evropë në mënyrë të pashmangshme sjell tensione e situata të palakmueshme thuajse çdo xhiro.

Javën e shkuar në derbin Gjilani-Prishtina e fituar 2:1 nga vendasit, nuk kanë munguar polemikat. Protestave të ashpëra të prishtinasve pas ndeshjes kur kërkonin llogari në mënyrë më shumë se sa ju lejohet për disa vendime të arbitrave, përfshi kartonin e kuq të portierëve të miqë, u bashkangjit intervenimi i policisë që për të qetësuar stafin e Prishtinës në një moment përdorën edhe gaz lotsjellës.

Ky akt bëri që kjo ndeshje të bëhej temë bisede gjithandej, ndërsa nga tabori i Prishtinës kërcnonin me largim nga gara, derisa në një prononcim presidenti Remzi Ejupi kishte thënë se edhe vetë njerëz drejtues të FFK-së kanë pranuar se në Gjilan ndeshja nuk ishte referuar në lartësinë e duhur.

Mirëpo e shpejtë ka qenë përgjigja e sekretarit të përgjithshëm të Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu, i cili replikon kryetarin e FC Prishtinës, Remzi Ejupi, për deklaratat e dhëna javën e kaluar, pas takimit Gjilani – Prishtina.

Ejupi, i ftuar në emisionin Favorit në T7, kishte thënë se edhe Salihu ia kishte përmendur se ajo që ka ndodhur në Gjilan ishte krim.

“Natyrisht që kemi pasur kontakt me Federatën pas ndeshjes. Kam folur me vetë sekretarin e Federatës dhe ai më tha: “Ky është krim” dhe ma thotë këtë vetë sekretari i Federatës”, kishte thënë Ejupi.

Ndërkohë, i ftuar mbrëmë në RTV 21, Eroll Salihu u pyet për ndeshjen Gjilani – Prishtina, derisa përgënjeshtroi deklarimet e Ejupit.

“Faleminderit për mundësinë e dhënë që të shprehem në lidhje me këtë ndeshje, sepse ka pasur deklarata të Remzi Ejupit, kinse unë i paskam thënë atij se ajo që ka ndodhur ishte krim. Këto janë të pavërteta dhe nuk ka të bëjë këtu asgjë me këtë”, është shprehur Eroll Salihu.

Ndërkohë portali sportiv Olle ka shkaruar se Ejupi kishte vizituar FFK-në, por që nuk dihet përse kërkoi takim me kryetarin e Komisionit të Gjyqtarëve, Përparim Hasani.

Leave a Reply