Jo vetëm afrime, te Interi ndodhin edhe dy largime

Kur është në pyetje Interi, çdoherë jemi mësuar që kjo skuadër të jetë aktive dhe të bëjë blerje të bujshme. Megjithatë mbrëmë te kampi “zikaltër” kanë ardhur edhe dy largime.

Pjesë e “zikaltërve” nuk do të jenë Antonio Kandreva, i cili i është bashkuar Sampdorias, dhe Sebastiano Esposito, i cili do të luaj me SPAL. Që të dy do të luajnë në formë huazimi. Mesfushori Kandreva është larguar nga Milano me formën e huazimit me të drejtë blerjeje në fund të sezonit.

33-vjeçari ka firmosur për katër vite me skuadrën nga Xhenova dhe klubi duhet t’i paguajë Interit vetëm 3 milionë euro për kartonin e tij. Kandreva ishte në një formë të mirë sezonin e kaluar, ku në 40 ndeshje shënoi 7 gola dhe asistoi në 9 të tjerë.

Gjithashtu edhe sulmuesi i ri i “zikaltërve”, Sebastiano Esposito, është larguar në formë huazimi për këtë sezon. Italiani do të luajë për SPAL deri në fundin e këtij sezoni, ku pritet që adoleshenti të marrë më shumë eksperiencë te skuadra ku luan edhe gardiani shqiptarë, Etrit Berisha.

Kujtojmë skuadra e SPAL dje zhvilloi takimin e parë në kuadër të “Serie B”, duke luajtur baraz pa gola përballë skuadrës së Moncas, ndërsa pikërisht Berisha doli të jetë protagonistë me pritjet e tij, kur arriti që të ndal edhe një penalti të vendasve.

Leave a Reply