Anglia me përmbysje mundi Belgjikën, fiton edhe Kroacia, Bosnja ndali Holandën (VIDEO)

Janë mbyllur ndeshjet e orës 18:00 në kuadër të Ligës “A” të Kombeve, të vlefshme për raundin e tretë të fazës së grupeve. Pa dyshim se vëmendjen më të madhe e mori sfida mes Anglisë dhe Belgjikës, që u mbyll me shifrat 2:1 në favor të “Albionit Krenar”, edhe përkundër disavantazhit që kishin pas golit të shënuar nga ana e Romelo Lukakut në minutën e 16-të.

Sulmuesi i Interit u tregua i saktë nga pika e bardhë, duke kaluar në epërsi Belgjikën, ndërsa në të njëjtën mënyrë u kundërpërgjigjë Markus Rashford, i cili 6 minuta para fundit të pjesës së parë përmes golit të shënuar nga penaltia barazoi shifrat në 1:1.

Për fitoren e “Albionit Krenar” në këtë përballje të zhvilluar në Uemblli, u përkujdes futbollisti i Çelzit, Mount, me golin e realizuar në minutën e 65-të.

Pas kësaj fitore Anglia merr kryesimin në grupin 2 të Ligës “A” me 7 pikë, një më shumë se Belgjika e vendit të dytë.

Fitore identike 2:1 regjistroi edhe Kroacia në kuadër të grupit 3. Kroatët mundën Suedinë, ndërsa ishte kjo vetëm fitorja e tyre e parë në këtë cikël të ri të ndeshjeve në kuadër të Ligës së Kombeve.

Vlashiç (32’) dhe Kramariç (84’) shënuan për Kroacinë në këtë ndeshje, ndërsa golin e vetëm për Suedinë e realizoi Berg në minutën e 66-të.

Bosnje e Hercegovina në terren vendas ndali Holandën, duke barazuar 0:0.

Leave a Reply