Dy skuadrat shqiptare nga Pollogu nuk dinë për disfatë në sezonin e ri

Dy skuadrat shqiptare, Shkëndija dhe Gostivari sezonin e ri futbollistik në vend e kanë nisur mjaft mirë, teksa pas 7, gjegjësisht 8 xhirove të para nuk dinë çka është disfata, njofton “infOSport.mk”.

Skuadra e Shkëndijës në elitën e futbollit vendor në 8 javët e para ka regjistruar 5 fitore, derisa ka barazuar në 3 ndeshje. Sa i përket Gostivarit, skuadër kjo që garon në Ligën e Dytë – Perëndim, ata në 7 ndeshjet e para kanë regjistruar 5 fitore dhe 2 barazime, duke kryesuar renditjen me 17 pikë, 3 më shumë se Skopje e vendit të dytë.

Interesant është fakti se edhe Shkëndija ndjekës më të afërt ka Shkupin, një skuadër që mban emrin e njëjtë, por në shqip, si ndjekësi më i afërt i Gostivarit.

Mbetet të shihet nëse këto dy skuadra nga Pollogu, Shkëndija dhe Gostivari do të mbajnë këtë ritëm dhe se edhe në mbyllje të kampionatit do të ruajnë këto pozita që kanë dhe se do të shpallen kampion, njëri në mesin e më të mirëve, e tjetri në Ligën e Dytë, duke fituar të drejtën që vitin tjetër të garojë në mesin e më të mirëve dhe të na dhurojnë derbin e Pollogut edhe në futbollin elitar.

Si parapërgatitje këto dy skuadra me 21 tetor do të përballen në 1/8 e finales së Kupës së Maqedonisë së Veriut.

Leave a Reply