Umit Karan: Çdo ndeshje për ne është si finale, pasi dëshirojmë titullin

Skuadra e FC Shkupit të dielën ka regjistruar një fitore shumë me vlera në udhëtim te Akademia Pandev (0:1), duke mbajtur hapin me Skëndijën për pozitën e parë. Ishte kjo fitorja e dytë për skuadrën nga Çairi nën urdhrat e trajnerit Umit Karan, i cili pas ndeshjes në Strumicë ka dhënë dhe përshtypjet e tija për duelin ndaj Akademija Pandev.

“Sigurisht se ishte një ndeshje mjaft e vështirë dhe deri te fitorja arritëm në pjesën e dytë edhe pse gjatë gjithë ndeshjes kishim kontrollin e lojës dhe krijuam shumë raste për shënim. Jemi të kënaqur që morëm tri pikë dhe sot u pa se ka ndryshim pozitiv në skuadër, pasi që kemi punuar mirë gjatë kësaj pauze dy javore” – u shpreh fillimisht Umit Karan, i cili thotë se çdo ndeshje e rradhës për FC Shkupin do të jetë si një finale, pasi skuadra e tij dëshiron titullin e kampionit.

”Normalisht për ne në vazhdim çdo ndeshje do të jetë si finale, e them këtë nëse dëshirojmë  të jemi në garë për titull. Duhet ta kemi parasysh se tani kemi mjaft ndeshje të vështira, na vjen skuadra e Sileksit që është kthyer në formë, ndërsa më pas kemi tri ndeshje të njëpasnjëshme që luajmë si mysafire. Nuk duhet harruar se të mërkurën luajmë ndeshje në kuadër të Kupës, andaj duhet të kemi shumë kujdes dhe ta harrojmë këtë ndeshje sa ma shpejt dhe të fokusohemi në ndeshjet që na presin”, – ka thënë Karan për faqen zyrtare të klubit.

Pas 9 xhirove të kaluara, FC Shkupi renditet në pozitën e dytë me 19 pikë, dy më pak se Shkëndija e vendit të parë.

Leave a Reply