Lajm i mirë nga Shqipëria, futbolli nis së shpejti

Takimi joformal midis Kryeministrit shqiptarë, Edi Rama dhe numrit një të futbollit në Shqipëri, Armando Duka, për çështjen e bojkotit të Kategorisë Superiore, duket se përfundoi me “tym të bardhë”.

Të paktën kjo u la të kuptohej nga një deklaratë për mediat e presidentit të FSHF-së.

“Kampionati do fillojë së shpejti. Kryeministri më ka premtuar se do pranojë ofertën tonë”, u shpreh ndër të tjera Duka.

Kjo deklaratë e presidentit të organit më të lartë të futbollit në vend, lë të kuptohet, se bojkotit po i vjen fundi.

Në rast se vërtetohen pritshmëritë pozitive të dala nga ky takim mes kreut te FSHF-së dhe kreut të qeverisë shqiptare, atëherë plani është thuajse gati që futbolli të rinisë menjëherë.

Një nga planet është që starti i sezonit të jetë pikërisht të mërkurën e ardhshme. Klubet janë gati dhe në pritje të vendimit zyrtar që do të vijë nga Liga si dhe nga Federata Shqiptare e Futbollit.

Me shumë gjasa java e ardhshme i hap udhë edhe rifillimit të aktivitetit futbollistik në të gjitha kategoritë. Ndërkohë një plan i mundshëm është që gjithçka të startojë fundjavën e ardhshme. Gjithçka pritet të konfirmohet në javët në vazhdim. (Panorama Sport)

Leave a Reply